
Raporti: Arbenita Ilazi
Prokuroria Themelore në Pejë i është kundërpërgjigjur ministrit Faton Peci, rreth akuzave për mosveprim për rastin e ndërtimeve pa leje në Rugovë. Nga ky institucion kanë thënë se llogari i japin Prokurorit të Shtetit, e jo ministrave. Kurse, nga Komuna e Pejës kanë thënë se janë me mijëra ndërtime në zonën turistike të Rugovës dhe se shumica e tyre nuk kanë leje.
Rreth gjashtëmijë vila apo shtëpi të vikendit janë të ndërtuar në zonën turistike të Rugovës.
Një numër i madh i tyre, sipas kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri nuk kanë leje dhe se disa janë ndërtuar në pronën publike.
Për këtë, ai thotë se mungesa e lëshimit të lejeve edhe në prona private është bërë për shkak të zonimit të parkut.
Çështja e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Rugovës është riaktualizuar pas akuzave të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili ka akuzuar organet e hetuesisë për mosveprim karshi kësaj situate.
Por, nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë thënë se hetimet për ndërtimin e këtyre vilave kanë nisur, por që për shkak nuk mund të japin më shumë detaje.
Duke iu përgjigjur akuzave të ministrit Peci, nga kjo prokurori kanë thënë se sqarime për hetimet që i bëjnë nuk i japin ekzekutivit, por Prokurorit të Shtetit.
Për çështjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Rugovës, Kanal10 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por që gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.
Zonat turistike në Kosovë, vazhdimisht kanë qenë cak i organeve të hetuesisë për shkak të ndërtimeve pa leje.
Në Prevallë, disa herë ka pasur rrënime të vilave, derisa njëjtë është vepruar së fundmi edhe në zonën e Batllavës.
Kurse, Prokuroria Themelore në Ferizaj vitin e kaluar kishte arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe zyrtarë komunalë për vepra të ndryshme penale që lidhen me lejimin e ndërtimeve të vilave në Brezovicë./Gazeta10