Mbrëmë u raportua se një shtetas i Kosovës ka mbetur i vdekur në zonën e Luginës së Valbonës, gjegjësisht te vendi i quajtur “Maja e Thatë”.
Për lokalizimin dhe tërheqjen e trupit të tij u angazhuan ekipe nga Shqipëria, por edhe nga Kosova.
Policia e Shqipërisë njoftoi mbrëmë se për shkak të terrenit të thepisur malor, për nxjerrjen e trupit të personit që dyshohet se ka vdekur, nevojitet ndihma e helikopterit.
Sinjali merr vesh se trupi i kosovarit në Valbonë akoma nuk është tërhequr, për shkak se nuk kanë arritur që të depërtojnë njësitet të cilët kanë intervenuar.
Bëhet e ditur se njësitet e shpëtimit janë duke pritur një helikopter privat.
Policia e Shtetit njoftoi mbrëmë se rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftimin se një shtetas kosovar, në vendin e quajtur “Maja e Thatë” në Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën.
Në njoftimin e policisë u tha se shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur drejt vendit të ngjarjes bashkë me grupin e Emergjencave Civile të Tropojës.