
Raporti: Kanal10
Ka shkuar në rreth 23 mijë persona të vdekur si pasojë e tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë, mëngjesin e së hënës. Derisa, ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën në secilën ndërtesë të shkatërruar, për të shpëtuar ata persona që kanë mbetur nën rrënoja. Operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi po e vazhdon edhe një kontigjent i FSK-së.
Çdo orë po vazhdon të rritet numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi të hënën këto dy shtete. Deri me tani, raportohet për rreth 23 mijë, derisa numri i të lënduarve në të dy shtetet ka shkuar në mbi 80 mijë persona.
Vetëm në Turqi, sipas presidentit Recep Tayyip Erdogan, si pasojë e tërmetit kanë vdekur rreth 19 mijë njerëz dhe 75 mijë janë lënduar. Ndërsa, në Siri kanë vdekur mbi 2 mijë persona, derisa janë lënduar rreth 3 mijë të tjerë.
Ndërkohë, shumë ekipe vendore e ndërkombëtare po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për persona të cilët mund të jenë nën rrënojat e objekteve që janë shembur tërësisht.
Vetëm të premten, nga rrënojat janë nxjerrë disa persona. Një 17-vjeçar i cili ishte bllokuar nën rrënoja në Gaziantep, është shpëtuar 94 orë pas tërmetit. Derisa, një foshnje e porsalindur dhe nëna e saj janë shpëtuar nga rrënojat e tërmeteve në Turqi, pas rreth 90 orësh qëndrimi nën gërmadha. Ekipet e kërkimit kanë shpëtuar nga rrënojat në Kahramanmaras edhe dy motra, 15 vjeçaren Ayfer pas 99 orësh, dhe pas 101 orësh edhe motrën e saj Fatman, 13 vjeçe.
Misionin e kërkim-shpëtimit në Turqi po e vazhdon edhe një kontigjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ka arritur ta nxjerr nga rrënojat edhe një vajzë 2 vjeçare.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se operacioni po vazhdon në provincën Hatay të Turqisë, bashkë me organizatën AKUT, për të mbijetuarit e mundshëm nën rrënojat e një ndërtese shumëkatëshe.
“Specialistët e kërkim-shpëtimit urban, ekipet e mjekësisë emergjente dhe ata K9, të FSK-së me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë janë duke zhvilluar operacionet e kërkim-shpëtimit në koordinim me autoritetet turke dhe ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës. Orët në vijim janë vendimtare andaj urojmë që të gjenden të tjerë të mbijetuar”, ka shkruar Mehaj.
Deri me tani shumë shtete të botës i kanë ofruar ndihmë Turqisë dhe Sirisë me ekipe të kërkim-shpëtimit dhe ekipe mjekësore. Po ashtu, këtyre dy vendeve të prekura nga tërmeti shkatërrues, u janë premtuar edhe ndihmë financiare, për t’i përballuar pasojat e shkaktuara nga tërmeti i së hënës në mëngjes.