
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Tarifat e reja të rrymës të cilat kanë hyrë në fuqi më datën 1 prill të këtij viti, sipas njohësve të ekonomisë po shkaktojnë rritjen e çmimeve edhe për shumë produkte të tjera. Ndërkaq, qytetarët sipas tyre do ta kenë vështirë t’i përballojnë çmimet. E një valë të re të rritjes së çmimeve e kanë paralajmëruar bizneset. Ndërkaq, deputetja e Listës Guxo thotë se Qeveria do të vazhdojë t’i mbështes ekonomitë familjare duke i subvencionuar për energjinë e shpenzuar, por pa lënë anash edhe bizneset.
Përveç rritjes së çmimit të energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës, mund të përballen edhe me një valë të re të shtrenjtimit të shumë produkteve.
Kjo pasi bizneset kanë paralajmëruar një rritje të re të çmimeve të produkteve e shërbimeve si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë nga ZRrE-ja.
Drejtori Ekzekutiv i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini ka thënë se çmimet e reja të energjisë nuk po i lënë rrugë tjetër bizneseve derisa ka shtuar se kjo rritje e çmimit të rrymës është e paarsyeshme pikërisht gjatë verës.
E një gjë e tillë është problem edhe për gastronomët e vendit.
Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomeve ka thënë se gjatë muajve do të ngritën çmimet, në vend se ato të uleshin.
Kjo situatë është shqetësuese edhe sipas njohësve të ekonomisë, për çka kanë thënë se një trend tjetër të rritjes së çmimeve vështirë se do të mund ta përballojnë qytetarët.
Arsyet për rritjen e çmimit të energjisë i ka treguar deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci.
Ajo tha se duke marrë për bazë që Kosova varet nga importi, kjo ka bërë që të ketë ngritje të çmimit të energjisë.
Statovci e konfirmoi çmimi i energjisë mund të ndikojë në çmime të reja.
Ajo shton se Qeveria do të vazhdojë që të mbështes ekonomitë familjare duke i subvencionuar për energjinë e shpenzuar, por pa lënë anash edhe bizneset.
Tarifat e reja të rrymës kanë hyrë në fuqi me datën 1 prill të këtij viti ku rryma është shtrenjtuar për 15 %.