
Gazetari Kushtrim Sadiku ka komentuar fjalimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të kësaj partie.
Sipas tij, fjalimi i Abdixhikut përmbante një ndjenjë të dukshme të pezmit, duke vlerësuar se një proces i tillë do të ishte në frymën e traditës së LDK-së për promovimin e demokracisë së brendshme.
“Një fjalim që përbrenda vetes ka një lloj pezmi. Ndoshta do të ishte mirë, pasi LDK-ja shquhet për promovimin e demokracisë, që edhe në këtë kuvend të dëshmohej kjo frymë”, tha Sadiku në edicionin special të Gazetës.
Duke komentuar edhe deklaratat e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, Sadiku tha se do të ishte e rëndësishme që atij t’i jepej mundësia që fjalimin e tij ta paraqiste të plotë para delegatëve.
“Do të ishte mirë që Zemaj të lejohej që fjalimin ta bënte publik dhe të shkonte deri në fund, me një qasje inkluzive, pra në formë demokratike, që të lejohej edhe ai fjalim”, u shpreh Sadiku.