Kuvendi i ka hequr sot imunitetin deputetit Sali Berisha, për të cilin SPAK ka kërkuar një masë më të fortë, atë të arrestit me burg apo arrest shtëpie.
Me 75 vota pro Kuvendi ka miratuar në një situatë të pazakontë, teksa opozita proteston në sallë por dhe jashtë Kuvendit. Zyrtarisht seanca plenare zgjati vetëm 6 minuta, ndërkohë që mazhoranca votoi njëzëri kërkesën e SPAK, që kërkonte heqjen e imunitetit për Berishën, i cili akuzohet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ish-kryeministri refuzoi të merrte fjalën gjatë nisjes së seancës plenare, ku iu kërkua të fliste mbi kërkesën e SPAK. Berisha kërkoi nga kryetarja e Kuvendit që të hiqej Garda e Republikës nga foltorja në mënyrë që ai të merrte fjalën.
Me vendimin e parlamentit tani i hapet rruga gjykatës për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit.