
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur marrëveshje që normalizon raportet mes të dyja vendeve. Derisa, opozita dhe njohësit e çështjeve politike në vend presin që këto kompromise të përfshijnë brenda Asociacionin për Kosovën dhe njohjen e saj nga Serbia.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia kompromise për të arritur deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet vete.
Madje, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se të dyja vendet duhet të bëjnë kompromise të vështira.
Përmes një letre drejtuar Serbisë me rastin e Ditës së Shtetësisë, Blinken ka thënë se këto pajtime ndërmjet palëve do të sjellin siguri dhe prosperitet për të gjithë rajonin.
Në letrën e tij thuhet se SHBA-ja vlerëson partneritetin strategjik që kanë me Serbinë për të çuar përpara një të ardhme më të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha.”, u shpreh Antony Blinken – Sekretar amerikan i Shtetit.
Sipas LDK-së, kompromis i vështirë në rastin e Kosovës shihet implementimi i marrëveshjeve të kaluara dhe zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Megjithatë, deputetja e këtij subjekti politik, Rrezara Krasniqi, ka thënë se në mekanizëm i tillë, assesi nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive.
Ndërkaq, sa i përket palës serbe, sipas njohësve të politikave ndërkombëtare, kompromisi mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës.
Faktori ndërkombëtar, kohëve të fundit ka rritur presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.
Aktualisht, palët janë duke negociuar propozimin e Bashkimit Evropian, siç njihet ndryshe plani franko-gjerman, por i cili nuk specifikohen njohjen reciproke mes të dyja vendeve. /Gazeta10