
Bazuar në një informatë zyrtare, njësitë kompetente të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Sektorin e Hetimeve, kanë realizuar kontroll në një subjekt farmaceutik në Prishtinë.
Sipas një njoftimi thuhet se gjatë kontrollit, në pjesën e tualetit të lokalit është zbuluar një hapësirë e modifikuar, në të cilën ishin fshehur 2,161 pako barnash pa dokumentacion mbulues dhe pa banderola të Republikës së Kosovës.
“Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Gjatë kontrollit të bodrumit dhe pjesëve të tjera të objektit janë zbuluar edhe 398 pako barnash pa banderola RKS. Në të dy lokacionet janë sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se malli i zbuluar në subjektin farmaceutik dhe në shtëpinë e banimit është sekuestruar dhe evidentuar në dokumentacionin përkatës, së bashku me specifikacionet e sasive dhe emërtimet e barnave.
“Vlera dhe detyrimet e përllogaritura janë: Në subjektin farmaceutik: vlera doganore 15,112.84 euro; Në shtëpinë e banimit: vlera doganore 5,633.10 euro. Vlera e përgjithshme doganore e mallit të sekuestruar është 20,745.94 euro. Rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin kompetent dhe institucionet përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtimit të paligjshëm të barnave, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, konkurrencës së ndershme dhe interesave financiare të Republikës së Kosovës.