Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Serbët në veri: Komuna është e Serbisë jo e Kosovës

Gazeta10
27 Maj 2023 - 19:23

Raporti:Arbenita Ilazi
Një ditë pas tensioneve të krijuara në tre komunat veriore të Kosovës, ditën e shtunë situata ka qenë e qetë, megjithatë objektet komunale lanë qenë të rrethuara nga njësitet policore. Qytetarët serb nw Leposaviq janë shprehur të shqetësuar duke thënë se kjo komunë është e Serbisë e jo e Kosovës.

Pas situatës së tensionuar në veri të vendit, një ditë më pas rrugët e tri komunave Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq ishin të qeta.

Megjithatë prezenca e forcave të sigurisë nuk ka munguar.

Të shtunën në zyrën e tij edhe kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi e priti në vizitë ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ky i fundit i ka ofruar mbështetje për ushtrimin e funksionit të tij kryetarit Hetemi.

“Sot pata nderin të pritem në zyrën e tij nga Lulzim Hetemi, Kryetari Komunës së Leposaviqit. I urova punë të mbarë dhe i ofrova gjithë mbështetjen time në ushtrimin e funksionit të tij, sipas mandatit të përcaktuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. Bashkë do t’i kalojmë të gjitha sfidat e do të vazhdojmë angazhimin për të mirën e gjithë qytetarëve tanë.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Në Leposaviq, situata ishte e qetë dhe pa incidente përderisa prezenca e policisë së Kosovës nuk ka munguar.

Por përzgjedhja e kryetarit të Leposaviqit, ka shqetësuar qytetarët e këtij vendi.

Ata thonë se kjo komunë është e Serbisë e jo e Kosovës.

Por ndryshe nga ky i fundit, kishte qytetarë të Mitrovicës të cilët kishin ardhur nga mërgimi për ta festuar fitoren e kryetarëve shqiptar.

Ekipi i kanal 10 ka qëndruar edhe në Zveçan për ta përcjellur nga afër situatën.

Në anën tjetër analisti politik, Branislav Kërstiq thotë se për momentin gjendja është e qetë dhe qytetarët serb i janë kthyer jetës normale, por tensionin sipas tij po e ndjejnë në ajër.

Pas incidenteve që ndodhën të premten në veri të vendit, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.

Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok kishin hyrë në objektet komunale të premten një ditë pas betimit.

Atyre iu është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale.

Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje nga incidentet në veri të Kosovës./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
11 Shtator 2025

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.