
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Pak ditë para fillimit të procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Serbia ka publikuar një dokumentar duke propaganduar për luftën në Kosovë. Aty flitet për gjoja krimet e shqiptarëve ndaj serbëve në të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë”. Nga shoqatat e dala nga lufta dhe nga opozita kanë kërkuar reagim të Qeverisë së Kosovës ndaj këtyre propagandave serbe.
Pak ditë para nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Serbia ka vazhduar fushatën e saj propaganduese për luftën e Kosovës.
Përmes televizionit publik të saj, Serbia ka publikuar një dokumentar në të cilin flet për të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë” dhe pretendimet për gjoja krime të shqiptarëve.
Dokumentari vazhdon me shpifjet se si jo të gjithë serbët që u dërguan në Shqipëri kanë përfunduar si viktima të trafikimit të organeve, por që siç thuhet aty, disa prej tyre u vranë në një kamp, e ku pastaj nga Kosova u dërguan për në Shqipëri, ku më pas pretendohet se iu morën organet.
Këtë dokumentar, serbët e bënë duke u bazuar në pretendimet raportit të Dick Martyt, disa prej të cilave edhe vetë Prokuroria Speciale në Hagë i kishte shpallur të pabaza.
E këto propaganda që Serbia tash e disa kohë i bënë në mënyra të ndryshme, po kundërshtohen nga shoqatat e dala nga lufta.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se krejt këtë serbët po e bëjnë si tendencë për të ndikuar në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.
E kritika drejt ekzekutivit kosovar për mosreagim ndaj kësaj propagande ka hedhur edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Këtë fushatë propaganduese të Serbisë e kanë vlerësuar si shqetësuese edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Kryetari i këtij këshilli, Behxhet Shala ka thënë se një gjë e tillë po bëhet me tendencën për të ndërhyrë në procesin e gjykimit në Hagë.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, e Rexhep Selimi, është caktuar të fillojë më 3 prill, pas më shumë se dy vjetësh të ndodhjes së tyre në paraburgim në Hagë./Gazeta10