Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Serbia: Situata në Kosovë është e paqëndrueshme, po presim përgjigjen e KFOR-it

Gazeta10
22 December 2022 - 16:44

Situata në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se Serbia ende po pret përgjigjen e KFOR-it sa i përket dislokimit të ushtarëve serbë, tha më 22 dhjetor sekretari i Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq.

Këto deklarata ai i bëri për mediat e huaja në Beograd, në ditën e 13-të që kur disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës, dhe një ditë pasi kryeministrja serbe, Ana Bërbaniq, tha se situata është “në prag të konfliktit të armatosur”.

I pyetur nga gazetarët për vlerësimin e Ministrisë së Mbrojtjes serbe nëse situata është në prag të një konflikti të armatosur, Staroviq tha:

“Ne jemi shumë të kujdesshëm me fjalët që përdorim dhe gjithmonë bëjmë përpjekje që të përdorim një gjuhë të paqes për shkak të përgjegjësisë që kemi. Në anën tjetër, unë i kuptoj plotësisht deklaratat e dhëna nga kryeministrja serbe [Ana Bërnabiq] dhe nga presidenti [Aleksandar Vuçiq]”.

Ai shtoi se “është shumë e vështirë të vlerësohet situata në një mënyrë tjetër, pasi fatkeqësisht ne po përballemi me kërcënime të drejtpërdrejta të sigurisë, të mirëqenies, dhe madje të jetës së popullsisë serbe në veri të Kosovës”.

Staroviq iu referua një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka shprehur shqetësim se “heqja e barrikadave mund të mos e përjashtojë mundësinë e viktimave” dhe ai e vlerësoi këtë deklaratë si “kërcënim” për serbët në Kosovë.

“Thirrja jonë, jo vetëm për Kurtin, por për të gjithë është që të përmbahen nga një gjuhë e tillë”, tha Staroviq.

Megjithatë, Staroviq theksoi se “është e vështirë të besohet” që KFOR-i nuk do t’i përgjigjet kësaj kërkese, pasi sipas tij, kjo i lejohet Serbisë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Barrikadat u ngritën në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. /rel/Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.