Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Serbia sot pritet t’i kërkojë KFOR-it dërgimin e forcave në Kosovë

Gazeta10
15 December 2022 - 9:29

Qeveria e Serbisë, sipas paralajmërimeve, pritet që në seancën e sotme të vendosë për dërgimin e kërkesës në KFOR për dërgimin e forcave të sigurisë në Kosovë, raporton Gazeta10.

Këtë e ka paralajmëruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë adresimit të tij në fillim të kësaj jave. Atë ditë, ai tha se të enjten, Serbia edhe zyrtarisht do ta paraqesë kërkesën zyrtare në KFOR për rikthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë sipas Rezolutës 1244, të cilën përfaqësuesit serbë e lajmëruan pas vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Megjithatë, edhe pse tha se do ta bëjnë këtë kërkesë në KFOR, Vuçiqi u shpreh skeptik se kjo kërkesë do të pranohej.

SHBA-ja nuk pajtohet me dërgimin e forcave serbe në Kosovë. I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në prag të takimit me Vuçiqin, tha se SHBA-ja është kategorike kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë.

Edhe pas takimit me Vuçiqin, ai përsëriti se SHBA-ja “refuzon kategorikisht kthimin e Ushtrisë serbe në veri të Kosovës”.

“Ne nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Ky nuk është momenti për të përdorur ushtrinë, ky është momenti për të përdorur diplomacinë, dialogun dhe kompromisin, si dhe imagjinatën, për të imagjinuar se çfarë sjell e ardhmja e rajonit”, tha Escobari.

As Gjermania nuk e përkrah dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë është i papranueshëm.

E njëjta tha se Kosova i uli tensionet suke vendosur t’i shtyjë zgjedhjet në komunat veriore, ndërsa shtoi se “retorika e fundit e Serbisë” po e bën të kundërtën.

Kundër kësaj ideje kanë dalë edhe institucionet e Kosovës, të cilat këtë retorikë nga ana e Serbisë e kanë konsideruar si luftënxitëse./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.