Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Serwer: BE e SHBA duhet ta ndëshkojnë Serbinë për ta zhbllokuar Kosovën

Gazeta10
12 July 2026 - 23:36

Pavarësisht gatishmërisë së Prishtinës zyrtare për zbatimin e marrëveshjeve, procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka hyrë në një ngërç të plotë që nga takimi i fundit trepalësh i janarit.

Ish-diplomati Daniel Serwer vlerëson se fajtori kryesor për ngecjen është mungesa e vullnetit politik të Beogradit, duke kërkuar nga BE dhe SHBA që të rrisin presionin ndaj Serbisë dhe të zhbllokojnë rrugën integruese të Kosovës.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet i bllokuar, ndërsa marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër ende nuk kanë gjetur zbatim.

Edhe pse ndërkombëtarët kanë paralajmëruar përpjekje për ta riaktivizuar procesin gjatë këtij viti, deri më tani nuk ka pasur zhvillime konkrete.

Ish-diplomati Serwer nënvizon se, pas afër një dekade pa përparim domethënës, është e vështirë të pritet ndryshim nëse mungon vullneti politik, veçanërisht nga Serbia.

“Do të ishte e vështirë të pritej përparim pas asaj që, në thelb, kanë qenë rreth dhjetë vjet pa ndonjë progres të vërtetë. Nuk jam adhurues i marrëveshjeve të arritura as në Bruksel dhe as në Ohër.

Nuk mendoj se ato ishin marrëveshje të mirëfillta. Serbia në të vërtetë nuk u zotua kurrë seriozisht për zbatimin e tyre. Jo vetëm që nuk i nënshkroi, por as nuk mori ndonjë angazhim të qartë.

Prandaj do të ishte e paarsyeshme të pritej përparim. A shpresoj për përparim? Sigurisht. Por Aleksandar Vuçiq e ka bërë shumë të qartë se nuk është fort i interesuar për këtë. Dhe, siç thuhet, duhen dy palë për të kërcyer tangon”, tha ai.

Serwer shton se Kosova duhet të vazhdojë të jetë palë konstruktive dhe të koordinohet ngushtë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara për ta mbajtur gjallë procesin e dialogut.

Sipas tij, Bashkimi Evropian tashmë ka filluar ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, duke kuptuar se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës ishte një gabim, ndërsa Beogradi ka dëshmuar se nuk ka qenë konstruktiv në proces.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.