
Qeveria e Kosovës ka publikuar adresimin e plotë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, raporton Gazeta10.
Kështu, ndër të tjera Kurti ka thënë se e kanë filluar mbarë vitin e ri.
Më tej, ai ka bërë thirrje që të vazhdohet gara me veten duke thënë se potenciali është më i madh se aktualiteti.
Tutje, Kurti ka përmendur edhe dikasteret ku do të punohet gjatë vitit 2023.
“Ju uroj të gjithëve një fillim të mbarë”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Këtu keni postimin e plotë:
“Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 118-të Qeverisë
Të nderuar anëtarë të kabinetit,
Të dashur qytetarë,
Mirë se po takohemi në mbledhjen e parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin për 2023 dhe në mbledhjen e 118-të gjithsej.
Po e fillojmë edhe një vit të ri, por në të njëjtën kohë po i afrohemi përmbylljes së edhe një viti të qeverisjes sonë.
Angazhimi, puna dhe rezultatet në vitin 2022 duhet të jenë minimumi i angazhimit, punës dhe rezultateve të vitit 2023. Le ta vazhdojmë pra garën me vetën, me bindjen se potenciali ynë është më i madh se sa aktualiteti që e kemi.
Ia kemi filluar mbarë, që në ditën e tretë të vitit, e para se të mbërrijmë në gjysmën e mandatit tonë, realizuam premtimin për shtesa për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare.
Kurse sot, në javën e dytë e në mbledhjen e parë për këtë vit, kemi në rend të ditës miratimin e Projektligjit për Investime të Qëndrueshme. Nëpërmjet tij, synojmë që të mbrojmë dhe tërheqim investimet, vendosim bazën për të përkrahur industrinë vendore dhe punësimin e qëndrueshëm, të fuqizojmë rininë dhe gratë, si dhe të thellojmë bashkëpunimin me mërgatën tonë.
Me mbrojtjen, ekonominë, demokracinë dhe shtetin ligjor në binar, si dhe me buxhetin për këtë vit tashmë të miratuar në Kuvend, në vitin 2023 kemi hyrë me më shumë siguri, me më shumë besim për të ardhmen, të cilën e synojmë dhe të ardhmen, të cilën e meritojmë.
Zelli dhe angazhimi ynë për të realizuar programin qeverisës dhe për të jetësuar reformat e thella e transformuese nuk do të pushojë për as edhe një ditë.
Viti 2023 do të jetë më shumë për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën, vit i edukimit, shëndetit, barazisë, drejtësisë, mirëqenies, sigurisë, prodhimit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror, vit i të gjithë qytetarëve dhe për Republikën.
Sfidave do t’iu japim përgjigje. Vështirësitë do t’i kthejmë në mundësi. E përballja me to do të na definojë si popull, si shoqëri e si shtet.
Ju uroj të gjithëve një fillim të mbarë!
Juve, të nderuar anëtarë të kabineti, ju uroj punë të mbarë!
Faleminderit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10