
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, njëzëri kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin veprime që shtensionojnë situatën në katër komunat e veriut.
Në kuadër të këtyre veprimeve, ato kanë kërkuar që të ketë zbatim të menjëhershëm të planit trepikësh.
Një kërkesë e tillë, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është përsëritur nga bisedat telefonike që të dy liderët kanë zhvilluar me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Ndërkaq, i njëjti veprim i është kërkuar Kurtit edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Theksova nevojën urgjente për shtensionim dhe kthim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Serbinë.” – Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian
Kurse, Kurti citohet t’i ketë shprehur asaj gatishmërinë për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale, gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, si dhe organizimin e zgjedhjeve të reja atje.
Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja në veri dhe rikthimi në dialog janë kërkesat e faktorit ndërkombëtar.
Madje, edhe tetë senatorë i kanë dërguar letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden, duke shprehur shqetësimin për tensionimin e situatës në veri dhe kanë kërkuar nga ai që të ndalë bashkëpunimin për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk marrin parasysh kërkesat e ndërkombëtarëve.
Ky intensifikim i përpjekjeve të aleatëve, nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare po shihet si mesazh i fundit për të dyja vendet që t’i zbatojnë kërkesat e tyre.
Këto reagime të ndërkombëtarëve vijnë në kuadër të përpjekjeve dhe thirrjeve të tyre të vazhdueshme për shtensionim të situatës në veri të vendit dhe që Kosova dhe Serbia, sipas tyre, të kthehen në procesin e dialogut, me fokusin e vetëm te zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve.
Në rast të mos veprimeve, ata kanë paralajmëruar masa ndëshkuese për të dyja vendet.