
Raporti: Kanal10
Të hënën, në Stantërg të Mitrovicës, ka nisur manifestimi tashmë tradicional “Java e Minatorëve”. Me këtë rast, është shënuar 34-vjetori i grevës historike të minatorëve të Trepçës. Krerë të shtetit dhe përfaqësues të ndërmarrjes, e kanë vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e minatorëve në rrjedhat historike të vendit. Ekzekutivi ka premtuar mbështetje për ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjes “Trepça”.
34 vjet më parë, në këtë mënyrë nisi shembja e themeleve të ish-Jugosllavisë.
Greva e minatorëve, e vitit 1989, ishte ndër veprimet më të mëdha të asaj kohe, për t’i dhënë shtysë të re përpjekjeve për liri e pavarësi.
Në 34-vjetorin e kësaj greve, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e minatorëve në ndryshimin e rrjedhave të historisë së Kosovës.
Ai është zotuar se Trepça nga një gjigant i fjetur, të kthehet në një pasuri minerare.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është zotuar se ekzekutivi do ta mbështesë Trepçën në ngritjen e kapaciteteve të saj.
Kurse, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, ka thënë se greva e minatorëve në kontekstin historik mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë.
Ndërkaq, kreu i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka deklaruar se greva e minatorëve ishte e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale, por politike.
Me rastin e 34-vjetorit, sindikata e punëtorëve të “Trepçës” ka organizuar aktivitete të ndryshme të cilat do të mbahen deri më 28 shkurt.