Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shënohet dita botërore e diabetit në Kosovë, theksohet rëndësia e parandalimit dhe qasjes në trajtim

Gazeta10
14 Nëntor 2025 - 16:55

Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, e cila këtë vit shënohet nën moton “Diabeti në të gjitha etapat e jetës”, Ministria e Shëndetësisë organizoi një tryezë të rrumbullakët në Pejë, duke vënë në fokus rëndësinë e parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe sigurimin e qasjes së barabartë në trajtim për të gjithë pacientët me diabet.

Zv/Ministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha-Bunjaku, në fjalën e saj ritheksoi angazhimin e Ministrisë për forcimin e masave parandaluese, përmirësimin e cilësisë së trajtimit si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në menaxhimin e kësaj sëmundjeje kronike.

Ajo njoftoi se është drejt finalizimit Plani i Veprimit për Sëmundjet Kronike Jo Ngjitëse 2026–2028, i cili synon reduktimin e faktorëve të rrezikut për popullatën dhe rritjen e qasjes në shërbime adekuate shëndetësore.

Në këtë aktivitet u bë e ditur gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë siguron terapi me insulinë për të gjithë pacientët insulinvarës në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, me një buxhet vjetor prej 3,595,147 euro. Aktualisht, 15,715 pacientë në nivel vendi përfitojnë terapi insulinore.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.