Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shkarkimi i rektorit, Thaçi akuzon VV-në për kapje të UP-së

Gazeta10
21 October 2022 - 16:38

Analisti Jusuf Thaçi ka reaguar lidhur me shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e kap Universitetin e Prishtinës, raporton Gazeta10.

Thaçi ka thënë se rektori nuk ka pasur skandale por Lëvizja Vetëvendosje së bashku me grupet e interesit brenda UP-së janë unifikuar për ta dërguar përpara këtë vendim.

Më tej Thaçi ka thënë se më këtë veprim Vetëvendosja ka folur qartë dhe e ka bërë të ditur se nuk i intereson universiteti por që ai të jetë i tyre.

Thaçi ka thënë se kjo është e njejta qasje që e kanë përdorur edhe qeveritë e tjera.

Këtu keni statusin e plotë:

“Çka na tregon shkarkimi i Rektorit të UP-së?

Këshilli Drejtues (KD) i Universitetit të Prishtinës (UP) përbëhet nga 9 anëtarë, prej të cilëve 5 të përzgjedhur nga Senati i UP-së dhe 4 të deleguar nga MASHTI.

Shkarkimi i Rektorit të UP-së me 8 vota pro, pra me kaq konsensus të lartë të KD-së, mund të tregojë vetëm njërën nga këto dy gjëra:

1. Rektori ka qenë skandaloz në menaxhim të UP-së dhe si rezultat i këtij keq-menaxhimi është rritur presioni publik për shkarkimin e tij, ose

2. Grupet e interesit të lidhura me pushtetin dhe grupet e interesit brenda UP-së janë unifikuar për të çuar përpara interesat e tyre në dëm të interesit, integritetit, autonomisë, stabilitetit dhe cilësisë së UP-së.

Meqë opsioni i parë nuk është i vërtetë, sepse nuk kemi parë skandale të rektorit dhe organizatat që e monitorojnë UP-në kanë konstatuar punën e mirë të tij, atëherë opsioni i dytë del të jetë i vërtetë. Sigurisht e vërtetë e hidhur!

Me këtë veprim të shkarkimit të rektorit, i cili nuk do të mund të ndodhte pa të deleguarit e MASHTI-t në KD të UP-së (pra nuk do të ndodhte pa miratimin e ministrisë/qeverisë), Lëvizja Vetëvendosje foli qartë: “Nuk po na intereson që UP-ja me qenë e mirë, po na intereson që UP-ja me qenë e jona!”.

Pra, saktësisht e njëjta qasje ndaj UP-së që e kanë pasur të gjitha partitë tjera politike që kanë qeverisur në Kosovë që nga paslufta.

Bravo LVV!

Po me rektorin ç’patën!?”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.