
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Shkarkimi i ekipit për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është vlerësuar absurd, pasi komisioni ka kryer detyrën me prezantimin e dokumentit për të cilin ka qenë i ngarkuar. Në KDI dhe Institutin “Musine Kokalari”, nuk e kanë përjashtuar mundësinë që kjo lëvizje e Kurtit, të jetë strategjike.
Shkarkimi i ekipit menaxhues që kanë përpiluar draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, do të duhej të ndodhte më herët, e jo tani, kur ai tashmë ka përfunduar punën e tij.
Kështu kanë vlerësuar njohësit e procesit të dialogut, ndonëse, ky vendim i Qeverisë, sipas tyre, është i drejtë.
Arbër Thaçi nga KDI, e ka parë si strategji të ekzekutivit, vonesën e shkarkimit të komisionit të përbërë nga katër serbë, e të udhëhequr nga deputetja e partisë së Vuçiqit, Danijela Vujiçiq.
E sipas Belgzim Kamberit nga Instituti “Musine Kokalari” është e çuditshme se si qeveria ka shkarkuar ekipin pas propozimit të draftit, kur ai edhe e ka kryer misionin që ka pasur.
Ky veprim, mori përkrahjen edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Mirëpo, partitë opozitare, nuk e kanë parë si shkarkim, ngase sipas tyre, ata veçse e kanë përfunduar detyrën e tyre.
Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, në Bruksel tha për ekipin menaxhues se pas prezantimit të punës së tyre, nuk ka më kuptim të vazhdojnë tutje.
Derisa, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, mëngjesin e së mërkurës, njoftoi se kanë liruar nga detyra, Danijela Vujiciq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkovic.