
Kryetari aktual i Komunës së Podujevës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat të dytë, Shpejtim Bulliqi, ka deklaruar se suksesi i Vetëvendosjes në zgjedhjet nacionale është mbështetur jo vetëm nga figura e kryeministrit Albin Kurti, por edhe nga puna e kryer në nivel lokal nga qeverisjet komunale të kësaj partie.
“Unë mendoj që përveç kryeministrit Kurti, pas të cilit janë shkuar shumë vota, edhe ne në nivelin lokal, siç thotë populli, ia kemi ndriçuar fytyrën me punë e angazhim për këto pesë vite. Të ju them të drejtën, kam qenë pjesë aktive e kësaj fushate. Në këto zgjedhje nacionale është diskutuar më shumë për projektet tona lokale sesa për temat kombëtare. Qytetarët kanë qenë më të interesuar për ato që kemi realizuar dhe ato që priten të realizohen në Podujevë,” tha Bulliqi.
Ai shtoi se angazhimi i tij nuk ka qenë vetëm gjatë kohës së fushatës, por përgjatë gjithë mandatit.“Unë jam i qetë në gjithë angazhimin tim gjatë kësaj periudhe të qeverisjes në Podujevë. Kam qenë aktiv vazhdimisht, jo vetëm tash në fushatë. Gjatë këtyre pesë viteve kam qëndruar pas projekteve të ndryshme, duke punuar për gjëra të mira për qytetarët e mi,” theksoi ai.
Megjithatë, Bulliqi pranoi se ka projekte që nuk kanë arritur të realizohen plotësisht, përfshirë ndërtimin e parkingut nëntokësor në qendër të qytetit.“Ka projekte që nuk i kam realizuar. Për shembull, parkingu nëntokësor – më është dashur ta ndërpresim atë projekt pothuajse në fazën finale të kontratës, për shkak të një problemi pronësor. Brenda sipërfaqes ku parashihej ndërtimi, në sheshin e qytetit, ka dalë se ekziston pronë private,” sqaroi Bulliqi./Tëvë1