Shqipëria do të ketë zyrtarisht ambasadën e saj në Kiev të Ukrainës.
Ky vendim ishte paralajmëruar më herët nga Ministria e Jashtme, ndërsa sot Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Shpenzimet e ambasadës shqiptare në Kiev do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2023.
Shqipëria kishte në Kiev vetëm një mision të posaçëm, që tashmë është mbyllur me vendim qeverie duke futur në fuqi ngritjen e ambasadës së parë shqiptare në Ukrainë.
Më herët ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se hapja e ambasadës shqiptare në Kiev do të bëhej në kuadër të 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Që prej 24 shkurtit të vitit 2022 kur nisi pushtimi rus i ukrainës, Shqipëria është rreshtuar në mbështetjen e Ukrainës, shkruan rts.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020. Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë./Gazeta10