Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Shtohen masat e sigurisë para ndeshjes Austri – Kosovë, ka edhe gjoba të majme për thyerjen e rregullave

Gazeta10
26 September 2026 - 16:34

Kur kanë mbetur pak më shumë se 24 orë deri në nisjen e ndeshjes mes Austrisë dhe Kosovës, raportohet se janë shtuar masat e sigurisë.

Sipas mediave austriake, Policia e Vjenës do të krijojë një zonë të posaçme sigurie rreth stadiumit dhe në pjesë të mëdha të parkut publik të Praterit. Masat do të jenë në fuqi nga ora 10:00 deri në 22:00, shkruan “albinfo.ch”.

Zona e sigurisë do të përfshijë, ndër të tjera, hapësirat përreth stadiumit, zonën e metrosë dhe Olympiaplatz, ndërsa policia do të ketë kompetenca të shtuara për kontrollin e personave në këtë zonë.

Personat që hyjnë në zonën e ndaluar mund të përballen me gjobë deri në 1 mijë euro. Në rast përsëritjeje, gjoba mund të arrijë deri në 4 mijë e 600 euro.

Policia gjithashtu mund të largojë nga zona personat që konsiderohen potencialisht të rrezikshëm për sigurinë dhe t’ua ndalojë hyrjen në të.

Kontrolle të detajuara do të zhvillohen edhe në hyrje të stadiumit, ku do të kontrollohen tifozët dhe çantat e tyre. Personat që refuzojnë kontrollin nuk do të lejohen të hyjnë në stadium dhe, sipas njoftimit, nuk do të kenë të drejtë për kompensim të biletës.

Ndeshja Austri – Kosovë zhvillohet të dielën në Vjenë, në kuadër të Ligës së Kombeve, me fillim nga ora 18:00.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.