
Raporti: Arbenita Ilazi/Kanal10
Besim Galicës nga Komuna e Vushtrrisë është shprehur i pakënaqur me uljen e pensionit të tij nga komisioni vlerësuar i Ministrisë së Financave. Ai thotë se për dallim nga 370 euro sa merrte përpara, tash merr vetëm 150 euro. Jë vendim të tillë ai e ka konsideruar si të padrejtë. Ndërkaq, si vendime shqetësuese i ka vlerësuar shoqata e HANDIKOS-it, duke thënë se vazhdimisht po shkurtohet lista e përfituesve të këtyre pensioneve. Lidhur me këto ankesa, ka heshtur Ministria e Financave.
37 vite të jetës i kaloi në karrocë.
Besim Galica nga Komuna e Vushtrrisë në moshën 10 vjeçare si pasojë e një aksidenti mbeti i palëvizshëm.
Mirëpo, pensioni që merr tashmë thotë se nuk i mjafton as për barna.
Sipas tij, komisioni vlerësues ka ulur shumën e pensionit, duke konsideruar se ai i takon grupit te dytë të personave paraplegjikë dhe nuk ka nevojë për përkujdesje.
E për këtë, ai thotë se herën e fundit komisioni vlerësues nuk mori parasysh gjendjen e tij në karrocë dhe uli pagesën nga 370 në 150 euro.
Ky nuk është i vetmi rast i personave me aftësi të kufizuara që konsiderojnë se komisioni nuk ka bërë vlerësim të sakta dhe të drejta.
Sipas HANDIKOS-it, çdo ditë adresohen ankesa të tilla dhe se për këtë kanë kërkuar shkarkimin e atij komisioni.
Nga kjo shoqatë thonë se nuk po bëhet vlerësim i drejtë për këtë grup nga ana e Komisionit Mjekësor, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, duke shtuar se shumë persona me aftësi të kufizuara janë përjashtuar deri më tani nga lista e pensioneve
Zëdhënësja e HANDIKOS-it, Kaltërina Misini thotë se lista e Departamentit të Pensioneve nga vitit 2019, ka shkuar duke u ulur nga 3100 në 2470 persona.
Kanal10 ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Financave dhe komisionin vlerësues që vepron në kuadër të këtij dikasteri, por që nuk kanë kthyer përgjigje./Gazeta10