
Në artikullin e gjatë të botuar të dy zyrtarëve të lartë amerikanë të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, Chollet dhe Escobar, listohen një sërë argumentesh se Asociacioni nuk është në dëm të Kosovës.
Chollet dhe Escobar thonë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por tani sipas tyre, dhe ka ardhur koha të tregohet qartë se çka është ky Asociacion e çka jo.
“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”.
Më tej ata shkruajnë:
“Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në tesktin e tyre autorial.
Ata thonë se e kundërshtojnë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.
“Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”.
Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave serbe.
“Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët do të mund të punonin në mënyrë më efikase së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira”.
Sipas tyre, Asociacioni nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.