Gazeta10

“S’i kemi më produktet e fëmijërisë”: Ndalimi i importeve nga Serbia godet veriun

Lubisha Vuçkoviq, nga Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe, ka disa muaj që ka mbyllur biznesin e tij me mallra të konsumit të përditshëm, pasi nuk ka mundur të sigurojë prodhime të Serbisë për konsumatorët.

“Shitorja nuk punon dhe mendoj se nuk do të punojë më kurrë. Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka fare produkte tona”, thotë Vuçkoviq, duke iu referuar atyre me origjinë nga Serbia.

Ai tregon se ka tentuar ta vazhdojë biznesin me mallrat që janë të qasshme në Kosovë, por thotë se shitja e tyre ka qenë e dobët.

“Kam bërë përpjekje të punoj me atë mall, nga Turqia, Maqedonia [e Veriut]… por nuk ka qenë as afër kualitetit të produkteve tona. Klientët kanë ndaluar së ardhuri dhe ma kanë dhënë këtë arsyetim”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.

Ndërkohë që policët kanë dalë nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së shumicës së produkteve nga Serbia ka vazhduar. Është hequr ndalesa vetëm mbi importin e lëndës së parë dhe të gjysmë produkteve, por jo edhe mbi produktet e gatshme.

Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë i kanë kërkuar disa herë Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë këtë ndalesë, por ajo nuk ka ndryshuar qëndrim.

Disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se kjo masë i godet shumë ata që nuk mund të adaptohen me produktet që i kanë zëvendësuar ato serbe.

“Sa na përket neve, qytetarëve, mendoj se kjo masë ndikon shumë, sepse ne jemi mësuar me disa produkte që i kemi konsumuar gjatë gjithë fëmijërisë dhe rritjes sonë. Tash nuk kemi qasje tek ato”, thotë Teodora Zhivanoviq.

Ajo shton se edhe barnat me prejardhje nga Serbia, jo rrallëherë, mungojnë në barnatoret e qytetit.

Për zëvendësimin e produkteve serbe, REL-i ka raportuar më herët se bizneset e Kosovës i kanë rritur importet nga vende të tjera, sidomos Maqedonia e Veriut.

Por, Nenadi, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, thotë se vështirësitë më të mëdha i ka me produktet ushqimore.

“Fatkeqësisht, produktet që i blejmë këtu, në masë të madhe, janë nga Turqia ose Evropa perëndimore. Kështu që, shpeshherë kur blejmë diçka, nuk e dimë se çfarë blejmë, sepse nuk e kuptojmë se në cilën gjuhë janë [udhëzimet] dhe cilët janë përbërësit e tyre”, thotë ai.

As Teodora, e as Nenadi nuk presin që ndalesa e produkteve serbe të hiqet së shpejti.

Komuna e tyre, ashtu si edhe të tjerat të banuara me shumicë serbe në veri, janë më të lidhura me Serbinë dhe nuk u binden lehtësisht vendimeve të institucioneve të Kosovës.

Kur ka marrë vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, Qeveria e Kosovës e ka cilësuar atë si masë të sigurisë, dhe jo ekonomike apo tregtare.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar shfuqizimin e saj, Qeveria thotë se vendimi varet nga vlerësimet e institucioneve të sigurisë në vend.

“Masat në kufirin me Serbinë janë të sigurisë, për shkak të rrezikut të sigurisë që vjen nga Serbia. Janë institucionet e sigurisë ato që i bëjnë vlerësimet e vazhdueshme mbi nevojën apo jo të këtyre masave”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Aty përmendet edhe sulmi i 24 shtatorit në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e vendit, duke vrarë një oficer. Pas këtij sulmi, autoritetet e Kosovës kanë gjetur edhe sasi të mëdha armatimi.

Kjo ka bërë që “institucionet e sigurisë t’i shtrëngojnë masat e sigurisë në kufirin me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës kujton se, muajin e kaluar, kryeministri Albin Kurti ka qenë në Portin e Hamburgut në Gjermani, “për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X dhe për të mësuar më shumë rreth mundësive që i ka Kosova për t’u pajisur me një sistem të tillë”.

Në deklaratën e Qeverisë dhënë REL-it thuhet se ky sistem “do të ndihmonte shumë në monitorimin e produkteve që kalojnë kufirin, duke garantuar një nivel më të lartë të sigurisë pa e penguar tregtinë”.

Por, aty nuk sqarohet se kur do të mund të sigurohet ky sistem dhe nëse ndalimi i produkteve të Serbisë do të mbetet në fuqi deri atëherë.

Për shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, masa që e bllokon importin e produkteve të gatshme serbe në Kosovë, bie ndesh me lëvizjen e lirë të mallrave, që është një nga kushtet që kërkon Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke i komentuar çështjet që ndërlidhen me këtë plan në fund të muajit maj, Szunyog tha se ai përfshin kushtin për lëvizjen e lirë të mallrave.

“Kështu që e inkurajojmë Kosovën që ta heqë ndalimin e produkteve serbe sa më shpejt që është e mundshme”, tha Szunyog.

NË FOKUS

askk
Ky është numri i banorëve për secilën komunë të Kosovës
riu
Në lulen e rinisë/ I riu 24 vjeç u vra pas debatit për muzikën e lartë
vdess
Vdes aktori i njohur në moshën 46 vjeçare, dyshohet se shkaktar ishte nxehtësia
drita
Vdes aktorja e humorit Drita Duraku
faton
“Më është bërë zullum”- Faton Hajrizi shfaqet me një video, tregon arsyen e arratisjes nga burgu i Smrekonicës
faton
Faton Hajrizi lajmërohet sërish nga arratia, Sveçlës ia shan mbiemrin dhe i vë bast: Kurrë nuk mundesh me më kapë
ylli
Zbulohet vajza misterioze në krah të Ylli Limanit
vd
Vdes e reja nga Prishtina, vuante nga një sëmundje e rëndë