Raporti: Gresa Bardhecaj / Kanal10
Një 15 vjeçare ka vdekur, kurse një 18 vjeçare ka pësuar lëndime të rënda pasi kanë rënë nga kati i katërt i një ndërtese në Ferizaj. Policia rastin e ka cilësuar vetëvrasje, teksa bëhet e ditur se në tentativë për të shpëtuar tashmë të ndjerën, të dy motrat kanë rënë nga banesa e tyre.
Qyteti i Ferizajt është tronditur nga një ngjarje tragjike që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës.
Dy motra kanë rënë nga një ndërtesë, ku si pasojë e plagëve të marra, 15 vjeçarja ka mbetur e vdekur, kurse motra tjetër 18 vjeçare ka marrë lëndime të rënda.
Të dyja fillimisht ishin dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, por për shkak të gjendjes së rënduar janë transferuar për në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Rastin policia është duke e hetuar si vetëvrasje, teksa kanë bërë të ditur detaje nga ky rast tragjik.
“Rasti është cilësuar si vetëvrasje. Nga hetimet që janë zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve, mësohet se e ndjera kishte tentuar të kërcej nga ndërtesa, ndërsa në përpjekje për ta shpëtuar motra e vet, kanë rënë të dyjat.”, tha Kanun Veseli – Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt.
Në gjendje të rënduar ishte pranuar 18 vjeçarja në QKUK, e cila pas trajtimit në klinikën torakale është dërguar në kujdesin intensiv.
Ende nuk dihen arsyet apo motivi i këtij rasti të rëndë.