Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Situata me zjarret merr përmasa serioze në Kosovë, sot u regjistruan 66 raste

Gazeta10
07 July 2025 - 22:46

Agjencia për Menaxhimin Emergjent (AME) ka njoftuar se situata me zjarret ka marrë përmasa serioze në Kosovë, në veçanti për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta që kanë favorizuar përhapjen e flakëve.

Sipas AME, gjatë 24 orëve të fundit, 66 raste zjarresh janë regjistruar në tërë territorin e vendit, ku 57 prej tyre, vetëm gjatë pasdites së sotme.

“Njësitet zjarrfikëse kanë intervenuar me sukses dhe kanë shuar shumicën e rasteve. Aktualisht mbeten aktive 8 vatra zjarri në komunat: Pejë, Lipjan, Shtime, Malishevë, Skenderaj, Istog, Ferizaj dhe Gjilan. Gjatë ditës është shënuar rritje e vatrave të zjarrit në disa rajone të vendit. Disa nga këto zjarre kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme të tokës dhe pyjeve dhe janë të vështira për t’u lokalizuar për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve. Ekipet zjarrfikëse janë në terren me kapacitete të plota, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe strukturat lokale. Rreziku nga zjarret mbetet i lartë. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura. Të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar në numrat emergjentë 112, 193, 192. I lusim qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe, në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje të raportojnë çdo person të dyshuar për shkaktim të zjarreve”.

Agjencia për Menaxhimin Emergjent po monitoron situatën në vazhdimësi dhe do të informojë publikun me njoftime të rregullta./KosovaPress

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.