Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Situata në veri, Lëvizja për Bashkim përmend ripërcaktimin e kufijve si zgjidhje finale

Gazeta10
06 November 2022 - 13:34

Lëvizja për Bashkim ka reaguar lidhur me situatën e fundit të krijuar në veriun e Kosovës, raporton Gazeta10.

Në reagimin e tyre thuhet se situata në veri është produkt i problemit të pazgjidhur duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi.

Tutje, thuhet se qytetarët atje të nxitur nga Beogradi nuk po e pranojnë dhe po e sfidojnë hapur shtetin e Kosovës.

LB e sheh zgjidhjen tek diskutimi për ripërcaktimin e kufijve si një mundësi që shmang diskutimet për temat e brendshme.

Më tej, në reagim thuhet se nëse nuk vazhdohet në këtë rrugë atëherë vetëm do të ketë tensione si dhe jofunksionalitet në tërë Kosovën.

Këtu keni postimin e plotë:

“Situata e nderë në veri, rrjedhojë logjike e një situate të pazgjidhur

Që nga shpallja e pavarësisë, në vazhdimësi e jo rrallë herë, kemi pasur tensionime e përshkallëzime të situatës në veri të Kosovës.

Kjo situatë vjen si rrjedhojë e një çështjeje të pazgjidhur – çështjes së veriut. Qytetarët serbë të veriut, të shtyrë e të mbështetur nga Serbia, nuk e pranojnë dhe e sfidojnë hapur shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Në anën tjetër, dialogu i vendosur në binarë të gabuar as nuk ka prodhuar, e as nuk pritet të prodhojë ndonjë zgjidhje që do t’i jepte fund mundësisë së tensionimit të situatës.

Prandaj shtrimi i drejtë i kësaj çështjeje, dialogu i vendosur mbi bazën e reciprocitetit në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve dhe shmangia e bisedimeve për çështje të brendshme me Serbinë, është rruga e duhur për t’iu dhënë fund tensionimeve të herëpashershme dhe për t’i dhënë vendit e kombit një zgjidhje të përhershme.

Në të kundërtën, nëse vazhdojmë të bisedojmë me Serbinë për çështje të brendshme të vendit tonë dhe nëse merremi me çështje teknike (edhe kur është në pyetje zbatimi i ligjit, siç është çështja e targave), në vend të zgjidhjes së plotë politike, do të kemi në vazhdimësi tensionime në veri e jofunksionalitet në tërë Kosovën.

Lëvizja për Bashkim

Prishtinë, 06.11.2022”, thuhet në reagimin e Lëvizjes për Bashkim në llogarinë e tyre në Facebook. / Gazeta10

Sot në veriun e Kosovës ka pasur një tubim një ditë pasi Lista Serbe është tërhequr nga institucionet e Kosovës pasi është suspenduar komandanti i policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.