
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot do të bëhet shkatërrimi i armëve ilegale që janë konfiskuar dhe që për to kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.
Ndërkaq organizimi për shkatërrimin e tyre fillon nga ora 10:00, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në fshatin Prelez.
Policia e Republikës së Kosovës ka konfiskuar mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm si dhe mjete të ndryshme plasëse, duke përfshirë edhe eksplozivët artizanalë, kjo është bërë e ditur njoftim në baza vjetore.
“Me vendim të gjykatës, është lejuar shkatërrimi i armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale dhe për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore”.
“Ky aktivitet mbështetet nga Bashkimi Evropian si dhe përmes mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë- Programit të Kosovës për Siguri (KSSP) si dhe SEESAC, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta nga Ministra e Punëve të Brendshme, UNDP-ja, BE-ja dhe Policia e Kosovës” , thuhet në njoftim.