Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Spitali i ri i pediatrisë me mungesë stafi, prindërit ankohen për mungesë kujdesi

Gazeta10
11 January 2023 - 19:45

Raporti:Arbenita Ilazi/Kanal10

Për më shumë se dy orë po detyrohen që të presin për trajtim mjekësor pacientët në spitalin e ri të pediatrisë. Një qytetar ka treguar se përkundër gjendjes jo të mirë shëndetësore, djalit të tij nuk i’u dha trajtim mjekësor për më shumë se dy orë, nën arsyetimin e mjekja nuk është aty. Ndërsa, nga ky spital kanë thënë se janë duke u përballur me mungesë të stafit dhe se kjo po ua vështirëson punën.

Në gjendje jo të mirë shëndetësore, Arianit Selaci nga Mitrovica e solli djalin e tij për trajtim në spitalin e ri të pediatrisë në QKUK.

Por atyre iu desh që të prisnin më shumë se dy orë për të marrë trajtim.

Selaci ka thënë se përkundër që djali i tij kishte temperaturë të lartë, asnjë nga punëtorët shëndetësorë nuk e kontrolluan.

Sipas tij, atyre i’u kërkua që të prisnin derisa të vinte mjekja përgjegjëse.

Ndërsa, nga ky spital kanë thënë se që nga funksionalizimi i tij, janë duke u përballur me mungesë të punëtorëve shëndetësorë.

Pediatrja Qëndresa Beqiraj ka treguar se momentalisht në repartin e intensivës janë vetëm tri infermiere, andaj edhe po u vështirësohet dhënia e shërbimeve.

Ndërkaq, nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë thënë se janë duke bërë riorganizimin dhe vlerësimin e secilës nevojë për staf.

“Përmes një grupi punues, ShSKUK është duke bërë riorganizimin dhe vlerësimin e nevojave për secilën klinikë, përfshirë edhe nevojën për infermier/e. Së shpejti pritet të nisin punën 15 infermierë të pranuar së fundmi në QKUK që do të shpërndahen në klinika, po ashtu gjatë vitit 2023 të ketë punësim shtesë të infermierëve”- nga ShSKUK.

Spitali i ri pediatrik-kirurgjik kishte nisur punën më 28 mars të vitit të kaluar.

Ndërsa, në këtë spital edhe më tej vazhdojnë të mos ofrohen shumë shërbime të nevojshme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.