Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se lidhur me rastin e ndodhur e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potok-ut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër Lepencit’, se më 30 nëntor 2024, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin Special nga Prokuroria Speciale ka kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera.
Me këtë rast, sipas Prokurorisë Speciale, në stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve Publike”, nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, nga neni 129 par. 1 dhe neni 128 par 1 nën par. 1.8 të KPRK-së, “Mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga neni 366 par 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.
“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, njoftimi tregon, se më 1 dhjetor 2024 me vendim te Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale.
“Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera. Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar”, thotë kumtesa.