Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, gjatë një konference për media tha se emrat e atyre të cilët janë arrestuar në lidhje me sulmin që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Ibër-Lepenc, nuk po publikohen në mënyrë që hetimet të mos dëmtohen.
“Unë nuk po fsheh asgjë, as drejtori i Policisë së Kosovës. Unë vetëm mund ta konfirmoj se hetimet në këtë rast janë intensive, dhe me qëllim që mos të dëmtohet në asnjë mënyrë hetimin ne jemi të rezervuar në ndarjen e informatave të cilat janë të rëndësishme për hetimet”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, thotë se do të vazhdojnë operacionin për të zbuluar të gjithë ata që janë të përfshirë në sulmin e lartcekur.
“Duhet të kuptoni qendrimin tonë, që hetimet në këtë rast të jenë efikase. Policia e Kosovës do të vazhdojë operacionin e saj me qëllim të zbulimit të gjithë kryerësve që mund të jenë të përfshirë në sulmet terroriste. Ju garantoj që asnjë qytetarë i pafajshëm nuk do të jetë cak i punës së policisë”, u shpreh ai./Gazeta10