Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Policia e Kosovës: Tetë zyrtarë policorë dekorohen me Medalje për Shpëtim jete

Gazeta10
25 May 2026 - 13:30

Ministri Xhelal Sveçla ka dekoruar tetë zyrtarë të Policia e Kosovës me Medalje për Shpëtim Jete, në shenjë nderimi për guximin, profesionalizmin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të treguar gjatë ndërhyrjeve për shpëtimin e jetës njerëzore.

Ceremonia e dekorimit u realizua pas përfundimit të procedurave të parapara sipas udhëzimit administrativ dhe vlerësimit nga komisioni vlerësues, me rekomandim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, bazuar në Ligjin e Policisë.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Sveçla theksoi se akti human dhe fisnik i zyrtarëve policorë i ka dhënë kuptim misionit të Policisë së Kosovës.

“Jam tejet i lumtur që jemi sot këtu bashkë, për të nderuar punën e tetë zyrtarëve tanë policorë, të cilët me aktin e tyre human e fisnik, duke rrezikuar vetveten, i dhanë kuptim misionit të Policisë së Kosovës. Këto akte dëshmojnë se, përveç profesionalizmit të lartë, pjesëtarët tanë policorë bartin edhe vlera të mëdha humane”, deklaroi Sveçla.

Ai shtoi se veprimet heroike të zyrtarëve policorë dëshmojnë përkushtimin e palëkundur të Policisë së Kosovës ndaj qytetarëve, duke theksuar se në momente kritike ata veprojnë me guxim, profesionalizëm dhe humanizëm të jashtëzakonshëm.

Ndërkaq, drejtori i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, e vlerësoi lart veprimin e tetë zyrtarëve policorë, duke e cilësuar atë si një akt të jashtëzakonshëm guximi dhe profesionalizmi.

“Veprimet tuaja të guximshme dhe profesionale janë një shembull i mirë dhe një burim i madh frymëzimi për të gjithë zyrtarët policorë që mbajnë këtë uniformë anembanë vendit. Ju vërtetuat se uniforma e PK-së nuk është thjesht një petk zyrtar, por bart mbi vete një mision human dhe një gatishmëri të palëkundur për të shërbyer ndaj qytetarëve dhe vendit”, theksoi Hoxha.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.