
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka vizituar pikën kufijtare Jarinje si dhe Stacionin Policor në Kushtovë të Vllahisë, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se aty ka vizituar zyrtarët policor si dhe zyrtarët e Doganave të Kosovës.
Më tej, Sveçla ka thënë se ka parë vendosmëri tek zyrtarët për ta garantuar sundimin e ligjit.
Këtu keni statusin e plotë:
“Sot vizitova pikën e kalimit kufitar në Jarinje, stacionin e policisë kufitare atje si dhe Stacionin Policor në Koshtovë të Vllahisë ku takova zyrtarët dhe përgjegjësit policor si dhe zyrtarët e Doganave të Kosovës. Vendosmëria e gjithë zyrtarëve për të garantuar sundimin e ligjit në çdo cep të Republikës dhe për të shërbyer e mbrojtur qytetarët tanë pa dallim, janë garanca për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.
Kujtojmë se në veriun e Kosovës së fundmi ka pasur tensione politike meqë Lista Serbe dhe serbët e veriut janë tërhequr nga institucionet e Kosovës pasi Qeveria ka suspenduar nga puna komandantin e policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq. / Gazeta10