
Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar trajnerin e Llapit, Tahir Batatina me dy ndeshje mos ushtrim të detyrës, si dhe një shumë parash prej 500 eurove.
Ky dënim vjen si pasojë e sjelljeve josportive të Batatinës, kundrejt gjyqarit Genc Nuza.
E gjitha kjo kishte ndodhur në kuadër të ndeshjes Prishtina – Llapi, e vlefshme për xhiron e katërt të Superligës së Kosovës.
“I. Kryetrajnerit të KF “Llapi“ nga Podujeva, z. Tahir Batatina me numër të ID-së 01144M77, i shqiptohet masa disiplinore. “Dënim me mos ushtrim të detyrës zyrtare për 2 (dy) ndeshje sipas radhës organizuar nga FFK.
II. Kryetrajnerit të KF “Llapi” nga Podujeva, z. Tahir Batatina me numër të ID-së 01144M77 i shqiptohet “Dënimi me gjobë prej 500.00 € (pesëqind euro)”, i cili duhet të paguhet në afat prej tetë (8) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.”
Batatina nuk do të jetë në krye të shtabit teknik të Llapit për ndeshjet kundër Dritës dhe Ferizajt.