
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, me një konferencë për media i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se nëse do të mbahen zgjedhjet e parakohshme, opozita do të zhdukej.
Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë, iu referua Kurtit, duke thënë se ai e di shumë mirë që e ka humbur fuqinë politike dhe e ftuar që të dalë në zgjedhje, ‘nëse i’a mbanë’.
Ai tha që Kosova është në një qorr-sokak.
“Jeni dëshmitarë që sot, edhe një herë, u vonua mbledhja e Kryesisë. E para, Kosova është në një qorr-sokak dhe është nën sanksione të rrepta nga aleatët e saj, ndërsa Kurti vazhdon të flasë dhe të mos thotë asnjëherë. Kjo çështje po dëmton Kosovën dhe po pengon rrugën e saj drejt BE.” tha Tahiri.
Ndërkaq, ai u shpreh se kjo qeveri duhet të shkarkohet ose të vetë-dorëhiqet.
“Një qasje shumë më serioze duhet të ndodhë; përndryshe, kjo qeveri duhet të shkarkohet ose të vetë-dorëhiqet. Një temë që do ta trajtojmë si grup është të drejtat e punëtorëve në sektorin privat. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për punëtorët e sektorit privat. Kjo qeveri erdhi në pushtet duke premtuar të drejta dhe avancim të punëtorëve në sektorin privat, dhe kjo çështje duhet të trajtohet në një seancë,” është shprehur Tahiri.