
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka komentuar reagimin e kryeministrit dhe ministrit Sveçla pas protestën së Njësitit FIT gjatë ditës së mërkurë.
Përmes një shkrimi në facebook, Tahiri tha se qeveria ka ligjëruar në vazhdimësi për meritat e tyre derisa tani nuk përmendin sakrificën e tyre.
“Mos harroni se Albini edhe Xhelali gjerë e gjatë, kanë ligjëruar për meritat e tyre dhe të Qeverisë, deri aty ku ka përmendur përmirësimet e kushteve të punës së policëve, sikur të bëhej fjalë për punonjës të administratës publike dhe jo për njerëz, që jeta e të cilëve shpesh u ekpozohet kërcënimit dhe rrezikut maksimal. Diçka që pas ngjarjeve në veri e dinë edhe fëmijët parashkollorë. Pa fije sinqeriteti Kurti e Sveçla ua përmenin pagën mesatare atyre që protestuan, që sipas tyre, për këtë vit paska arritur shifrën 2200 euro! Kryeministri e ministri nuk tregojnë se si ka ardhur deri te kjo shumë, pra nuk përmendin fare sakrificën e tyre natë e ditë në veri, në kohë me shi, e me stuhi. “
Tutje ai reagoi edhe për pagën të cilën e ka diskutuar kryeministri Kurti dhe ministri Sveçla.
“Pra, kur i duhen pamjet e sukseseve të intervenimeve, dalin me foto e me pamje. Por, kur për një moment e kanë një hall, të njëjtit për të njejtit policë, dalin me një shifër, për të krijuar përshtypjen e rrejshme te qytetarët dhe publiku, që gjoja këta policë kanë pagë relativisht të mirë. Për besë, turp!” , përfundoi Tahiri.