
Në Tiranë sot është mbajtur takimi mes presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj si dhe homologut të tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, raporton Gazeta10.
Presidenti Begaj ka thënë se plani franko-gjerman si një zgjidhje për Kosovën është i mirëpritur.
“Është i mirëpritur franko-gjerman apo propozimi i Brukselit i quajtur së fundi për dialogun Kosovë-Serbi. Çdo përpjekje për dialog dhe për gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë dhe çdo propozim në lidhje me të është i mirëpranuar nga ana jonë dhe kemi qenë gjithmonë për këtë dialog”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se secila përpjekje në uljen e tensioneve është i mirëpritur.
Ai më tej e ka lavdëruar ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për punën në këtë proces.
“Nuk është i rëndësishëm dërguesi i propozimeve. Çdo kontribut që sjell uljen e përshkallëzimit të konflikteve është i mirëpritur. Përndryshe mund të them shumë respekt për kolegun e mikun tim Lajçak, i cili e ka shndërruar në një mision të tij pasionant. Me përvojë, dije e durim të madh e ka trajtuar pikërisht këtë proces të dialogut”. / Gazeta10