
Para pak minutash ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti si dhe krerëve të subjekteve opozitare në Kosovë, Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt, ku është diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në vend pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
I pari që e lëshoi takimin ishte Ramush Haradinaj, dhe i njejti pak minuta më pas shpjegoi se përse e lëshoi këtë takim para kohe duke thënë se Kurti nuk jepte përgjigje konkrete për prishjen e raporteve me Amerikën por mbante ligjerata.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre.
Për mua është e papranueshme që në raste kaq të ndjeshme, të prishim raportet me aleatin kryesor të sigurisë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Pasi përfundoi takimi, i pari për media foli kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se nuk është i sigurtë se çfarë do të bëjë Qeveria Kurti.
“Nuk mund të them se dola me një siguri të madhe se Qeveria e di në çfarë drejtimi është duke shku dhe çfarë veprime duhet të ndërmarrë për ta mbajtur situatën në kontroll”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se kjo gjendje ka mundur të mos ishte por është rezultat i keqmenaxhimit të Qeverisë së Kosovës.

“Mendoj se sot e kemi një situatë të re e cila ka mundur të shmanget, papjekuria në disa veprime, dhe mungesa e koordinimit të duhur me aleatët kryesor të Kosovës duket se kanë sjellur një momentum që ka mundur të shmanget”, ka thënë ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk kishte parë plan konkret si të vazhdohet tutje.

“Në këtë takim për pjesë më të madhe nuk kuptuar diçka më të re se sa deklarimet publike që kryeministri tanimë i ka pasur dhe nuk pamë ndonjë plan konkret për zgjidhjen e çështjes së re të krijuar në vakumin insitucional, gjyqësor dhe juridik në veri të vendit”, ka thënë Abdixhiku.
Tutje, ai ka thënë se nuk ka parë as gadishmëri për koordinim me aleatët e Kosovës.
“Nuk pamë ndonjë lëvizje apo gadishmëri për koordinim të plotë me aleatët tanë ndërkombëtar”, ka thënë ai më tej.
Ai e ka bërë të ditur edhe kërkesën e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës.
“Ne kërkuar plan konkret dhe kërkuar koordinim me aleatët tanë ndërkombëtar”, ka thënë ai më tej.
Kujtojmë se Lista Serbe është tërhequr nga institucionet të shtunën pasdite pasi Qeveria e Kosovës ka suspenduar nga puna komandantin e policisë rajonale në veri. / Gazeta10