
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Policët në veri të vendit tash e 11ditë kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare përtej barrikadave, kjo gjë ka ngritur shqetësimet e Sindikatës së Policëve dhe partive opozitare. Ata kanë thënë se një gjë e tillë është përgjegjësi e institucioneve derisa nga partia në pushtet kanë thënë se po flitet se si tu ndihmohet atyre.
Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që as pas 11 ditësh, t’i ndërrojnë zyrtarët policorë që kanë mbetur të bllokuar në dy lokacione në veri të vendit.
Pas vendosjes së nëntë barrikadave në pjesë të ndryshme të veriut, zyrtarët policorë e kanë të pamundur ndërrimin, për shkak të mbylljeve tokësore.
E kur janë bërë 11 ditë të qëndrimit të bllokuar, shëndeti i tyre ka filluar të përkeqësohet për shkak të kushteve të rënda, temperaturave të ulëta, mungesës së ushqimit, si dhe të higjienës.
Gjendjen e këtyre zyrtarëve policorë e ka vlerësuar si alarmante, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, derisa ka thënë se shqetësimin e rritë edhe heshtja e institucioneve të Kosovës.
Sidoqoftë, Zeqiri ka thënë se policët nuk dëshirojnë të largohen nga Leposaviqi, pa ardhur zëvendësimi i tyre, gjë që ka kërkuar edhe nga KFOR-i të mundësojë transferimin e zyrtarëve policorë.
Ndërkohë, deputetja e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, në Prime Time, ka thënë se qeveria është duke diskutuar se si të gjendet një zgjidhje.
Rritjen e tensioneve në veri dhe bllokimin e zyrtarëve policorë atje, ish-ministri i Brendshëm nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti, e ka quajtur papërgjegjësi totale të Qeverisë së Kosovës.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, njëherësh kryetar i komisionit parlamentar për Siguri, ka thënë se qeveria nuk ka vullnet politik për t’i hequr barrikadat.
Kanal 10 ka provuar të marr përgjigje edhe nga KFOR-i në lidhje me shqyrtimin e kërkesës për t’i larguar policët ne veri me helikopter, por që gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.