
Raporti: Kanal10
Të pakënaqur me pagat, dy grupe të Policisë së Kosovës do të protestojnë të martën. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili tha se ka tre muaj që Ministria e Punëve të Brendshme i ka premtuar se do t’ua rregullojë koeficientin këtyre dy grupeve, porse ende nuk e ka bërë.
Të martën në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficientëve sipas pozitave të tyre.
Këtë e konfirmoi kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, pasi sipas tij, nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.
Kryetari në këtë sindikatë, Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për të njëjtit punëtorë, mirëpo ende nuk ka reagim nga MPB-ja.
Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim sot edhe tek Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Zeqiri tha se numri i këtyre punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100.
Ai shtoi se këtyre punëtorëve ju ka humbur durimi të presin më gjatë, shtoi se kategoritë e lartpërmendura kanë mbetur në kategorinë e koeficientit të një mirëmbajtësi.
Ai në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë.
Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik 105 euro.
Megjithatë, ky ligj është në Gjykatën Kushtetuese të cilin më 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Kushtetuese.
Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera.