Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Të premten do të vendoset për qendrat e votimit në veri

Gazeta10
13 April 2023 - 18:37

Raporti: Saranda Aliu/Kanal10

Tendencë të destabilizimit të veriut, në prag të zgjedhjeve të 23 prillit, e ka cilësuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, situatën në atë pjesë të vendit. Por, pavarësisht kësaj, ai ka thënë se këto zgjedhje nuk duhet të shtyhen, pasi që nuk ka arsye për një gjë të tillë. Ndërkohë, nga KQZ-ja kanë thënë se janë duke i vazhduar përgatitjet për zgjedhje, derisa njohës të sigurisë vlerësojnë të vështirë që ato të mbahen.

Pas dy shtyrjeve të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten pritet të caktojë qendrat e votimit për katër komunat e veriut të vendit për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Incidentet e ditëve të fundit kanë shtuar zërat për pamundësinë e organizimit të këtij procesi zgjedhor, megjithatë nga KQZ-ja kanë thënë se do t’i vazhdojnë përgatitjet.

“Ju njoftoj se mbledhja e radhës e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbahet të premten, më 14 prill, me fillim në orën 13:30. Në rend të ditës është planifikuar që nga anëtarët e KQZ-së të shqyrtohen dhe miratohen disa çështje në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 prillit.”- Valmir Elezi – Zëdhënës i KQZ-së

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se ka tendenca të përshkallëzimit të situatës, në prag të zgjedhjeve në katër komunat e veriut.

Ai ka thënë se pavarësisht situatës, zgjedhjet në vëri nuk duhet të shtyhen, pasi sipas tij, nuk ka asnjë arsye për një vendim të tillë.

Por, skeptik se zgjedhjet mund të mbahen më 23 prill, janë shprehur njohësit e çështjeve të sigurisë.

Sipas Drizan Shalës, nuk ka klimë, e as kushte për këtë proces, për shkak të tensioneve të ditëve të fundit dhe rrezikut që ato të përsëriten në ditët në vazhdim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit e Zveçan janë caktuar të mbahen më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave, në nëntor të vitit 2022, për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Këto zgjedhje ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor të vitit të kaluar, por që ishin shtyrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.