
Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, ka thënë se Qeveria e Kosovës po i vuan pasojat e marrëveshjeve të mëparshme, raporton Gazeta10.
Haxhiu ka thënë se vendimet e Qeverisë së Kosovës janë të drejta dhe legjitime.
Tutje, ajo i ka konsideruar për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e opozitës karshi kësaj situate.
Haxhiu ka thënë se ata po duan t’i lëshojnë pe Serbisë meqë disa kanë lidhje kriminale me ta e disa e kanë mendjen vetëm tek pushteti.
Këtu keni postimin e plotë:
“Vendimet e Qeverisë janë të drejta dhe të ligjshme. Qëllimi i tyre është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial prandaj edhe do të duhej të kishte unifikim rreth tyre.
Janë për keqardhje dhe të turpshme qëndrimet e subjekteve opozitare. Fatkeqësisht opozita e sotme apo qeveria e djeshme as atëherë as tash nuk mbështesin vendimet e drejta, madje sot vuajmë pasojat e marrëveshjeve të tyre të dëmshme. Ata duan që t’i lëshojmë pe Serbisë e të përmbushen apetitet e Vuçiqit, disa për shkak të lidhjeve me strukturat kriminale e disa të tjerë e kanë mendjen veç tek pushteti”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook.
Kujtojmë se pasditen e sotme Lista Serbe është tërhequr nga institucionet e Kosovës pasi është suspenduar komandanti i policisë rajonale në veri nga Qeveria e Kosovës. / Gazeta10