
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova dhe shoqëria po humbin kohë të çmuar dhe mundësi të rëndësishme për zhvillim dhe vendimmarrje strategjike.
Thaçi ka theksuar se faktori kohë në politikë dhe në jetën institucionale është vendimtar dhe nuk duhet nënvlerësuar.
“Fatkeqësisht shoqëria dhe shteti po privohen në kohë dhe mundësi. Si në jetë po ashtu në sferën politike, faktori kohë nuk paraqet vetëm lëvizje të akrepave, stinëve, viteve apo dekadave – faktori kohë në vendimmarrje është kritik, vendimtar, shumë i vlefshëm dhe më i shtrenjti”, ka deklaruar ai.
Thaçi ka përmendur edhe ndërhyrjen e NATO në Kosovë, duke e cilësuar atë si moment historik dhe vendimtar për fatin e vendit.
“Imagjinoni për një moment sikur të mos kishte ndodhur intervenimi i NATO-s në Kosovë para 11 Shtatorit 2001 dhe ndërhyrjeve amerikane e perëndimore në Afganistan dhe Irak. Neutraliteti, heshtja apo indiferenca në përballjen mes persekutuesit dhe viktimës do të ishte plandosëse për Kosovën”, është shprehur Thaçi.
Sipas tij, vendimmarrjet e vonuara në momentet kyçe historike mund të kenë pasoja të mëdha për shtetet dhe shoqëritë. /GAZETA10/