Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

‘Tkurret’ shumica parlamentare, pushteti me vetëm 61 deputet në Kuvend

Gazeta10
07 May 2023 - 21:25

Raporti: Fjolla Xheladini / Kanal10

Shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës aktualisht ka mbetur me vetëm 61 deputetë. Largimi i disa deputetëve nga VV-ja dhe shkuarja në pushim të lehonisë të dy deputeteve, ka bërë që pushteti ta ketë minimumin e ligjvënësve. Opozita e quan papërgjegjësi të pushtetit mos miratimin e dhjetëra projektligjeve, derisa monitoruesit Kuvendi thonë se ky institucion çalon në përmbushjen e agjendës legjislative.

Pushteti në Kosovë rrezikon të humb shumicën parlamentare.

Nga 66 deputetë sa kishte në fillim të mandatit, duke mos llogaritur deputetët serbë, aktualisht Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët jo serbë, kanë mbetur me vetëm 61 deputetë.

Ikja e Haki Abazit e Fatmir Humollit nga grupit parlamentar i VV-së, shkuarja e Saranda Bogujevcit dhe Tinka Kurtit në pushim të lehonisë, e mos prezenca që një kohë e Drita Millakut në seanca, ka bërë që kjo parti, të mos arrijë miratimin e shumë projektligjeve.

Sfidat brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i pranon edhe vetë shefja e saj, Mimoza Kusari-Lila.

“Tash grupi jonë parlamentar ka 61 deputetë aktiv që marrin pjesë në votime dhe japin mbështetje qeverisë në nismat legjislative, qofshin ato që janë edhe me shumicë të thjeshtë. Në situatën kur një deputet i Lëvizjes ose vonohet apo ka ndonjë angazhim apo është në udhëtim pamundësohet vendimmarrja”, tha Mimoza Kusari-Lila – Shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.

Por, ajo fajin ia hedh opozitës, pasi sipas saj, po refuzon të kryejë detyrën e vet kushtetuese që të marrin pjesë në votim, shkruan Kanal10.

“Opozita tash e ka reduktuar rolin e vet opozitarë në dy pika, në deklarime jashtë rendit të ditës dhe mbajtje të diskutimeve në çështje që ata i mendojnë se janë të rëndësishme”, u shpreh Kusari-Lila.

Mirëpo, shefi i Grupi Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri thotë se opozita nuk e ka obligim t’ia bëjë kuorumin partisë në pushtet.

“Është e pabesueshme papërgjegjshmëria e mazhorancës në Kuvend. Na u kanë mbledhur me dhjetëra mos të them qindra pika që shtyhen në seancë pas seance. Kjo situatë nuk mundet me vazhdu kështu. Vazhdimi i kësaj situate tregon për një krizë serioze të Kuvendit që vjen si rezultat i mazhorancës, kjo qasje është e papërgjegjshme dhe shumë pak shtetëformuese”, tha Besnik Tahiri – Kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së.

Edhe monitoruesit e Kuvendit theksojnë se Kuvendi po çalon në përmbushjen e agjendës legjislative në sesionin pranveror.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se deri tani, 27 për qind e ligjeve që janë miratuar janë marrëveshje ndërkombëtare, ndërsa shton se një e treta e projektligjeve që janë në procedurë, janë po ashtu marrëveshje ndërkombëtare.

“Nëse e shohim se sa projektligje të marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në procedurë, del se janë 16 për qind. Pra gati një e treta e projektligjeve janë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë votat e dy të tretat e deputetëve. Në këtë rast shumica parlamentare nuk e ka këtë numër të nevojshëm për kalimin e projektligjeve”, tha Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Kjo gjendje, sipas Kusari-Lilës, pritet të jetë deri në fund të shtatorit, kur pritet kthimi i dy deputeteve që janë në pushim të lehonisë.

Mungesa e kuorumit në vendimmarrje gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka bërë që shtyhen vazhdimisht seancat plenare dhe të grumbullohen pika të shumta të pa shqyrtuara. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.