
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Këto pesë hektarë tokë të Mejdi Krasniqit, nga Zhilivoda e Vushtrrisë, kanë mbetur të pashfrytëzueshme.
Ndonëse dëshira është e madhe për ta shfrytëzuar tokën, e mundësia për ta bërë një gjë të tillë është e vogël.
Kjo për faktin se shfrytëzimin e tokës po ia pamundësojnë këto mure të cilat kanë mbetur aty që nga viti 1987 nga punimet që i kishte zhvilluar Ibër-Lepenci për ndërtimin e kanalit.
Krasniqi thotë se për largimin e këtyre mureve duhet kosto deri në 5000 euro, andaj ka kërkuar nga Ibër –Lepenc që t’i largoj mbetjet e tyre të cilat i kanë lënë.
Ai ka thënë se ka dërguar ankesë në Ibër – Lepenc, por kërkesa e tij nuk është marr parasysh.
E nga Ibër-Lepenc kanë thënë se rasti është në Gjykatë dhe nuk mund të flasin derisa të merret një vendim.
E përmes një aktvendimi të Gjykatës Komunale në Prishtinë, iu është kërkuar Komunës së Vushtrrisë që Drejtoria e Bujqësisë dhe ajo e Gjeodezisë të caktojnë ekspertë të lëmisë dhe të njoftohen për datën e vendshiqimit.
Nga drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Vushtrrisë kanë thënë se për shkak të vjetërsisë së lëndës, kërkojnë edhe njëherë që qytetari t’i drejtohet komunës për të bërë një zgjidhje të problemit.
Kanal 10, ka kërkuar përgjigje edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe banori ka thënë se nuk do të ndalet derisa të bëhet një zgjidhje për largimin e mbetjeve nga prona e tij.