Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Tolaj kritikon Qeverinë: Vendimet e vonuara po dëmtojnë aviokompanitë që lidhin Kosovën me diasporën

Gazeta10
28 May 2026 - 20:47

Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës në mbledhje ndau 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, me qëllim mbështetjen e linjave ajrore që shërbejnë diasporën.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar Valon Tolaj, i cili ka vlerësuar se mbështetja për aviokompanitë ka qenë e domosdoshme prej më shumë se një muaji, për shkak të rritjes së çmimeve të kerozinës dhe krizës globale në sektorin e aviacionit.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë është i vonuar, ndërsa koha e marrjes së tij – vetëm pak ditë para zgjedhjeve – e bën edhe më problematik.

“Mbështetja e Qeverisë për aviokompanitë ka qenë domosdoshmëri tash e më tepër se 1 muaj. Rritja e çmimeve të kerozinës ka rrezikuar seriozisht operimet anekënd botës, përfshirë edhe Kosovën. Tashmë, vendimi për këtë mbështetje mund të konsiderohet i vonuar, si çdo vendim i kësaj qeverie”, ka shkruar Tolaj.

Ai ka shtuar se vendimi po përdoret për interesa zgjedhore dhe se nuk pritet të ketë ndikim real as për diasporën dhe as për kompanitë ajrore.

“Koha e këtij vendimi, pikërisht pak ditë para zgjedhjeve, është edhe më problematike. Me tendencën për ta manipuluar gjithçka për interesa zgjedhore, ky vendim as nuk ndihmon diasporën dhe as aviokompanitë”, ka deklaruar ai.

Tolaj ka mbrojtur edhe aviokompanitë që operojnë në Kosovë, duke thënë se ato janë dëmtuar rëndë nga trendet globale dhe nuk duhet të sulmohen për shkak të vonesave institucionale.

“Është e padrejtë që për shkak të vendimeve të vonuara e të gabuara të Qeverisë të sulmohen aviokompanitë, edhe ashtu të dëmtuara rëndë nga trendet globale. GP Aviation dhe Prishtina Ticket, e kompani të tjera ajrore po ashtu, pa mbështetjen fare nga shteti, po ndërtojnë autostrada ajrore, të cilat lidhin Kosovën me botën”, ka theksuar Tolaj.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.