
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Si pasojë e plagëve, gruaja ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi e cila deklaroi se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshortja e tij.
“Me datë 23.08.2026 rreth orës 23:20, jemi njoftuar për një rast të plagosjes me armë zjarri në fshatin Kërvasari-Malishevë. Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi janë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit. Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në QKUK”, ka thënë ajo.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.
Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se gruaja, e moshës madhore, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Sipas të dhënave të deritanishme, ajo ishte shtatzënë.
“Nga QKUK jemi njoftuar se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë”, tha ajo
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, përfshirë motivin dhe mënyrën se si ka ndodhur incidenti.