Raporti: Saranda Aliu / KANAL10
Kryetarët e sapozgjedhur të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë në përfundim të përgatitjeve për ceremoninë e betimit që pritet të bëhet të enjten. I pari i Zubin Potokut këtë proces do ta bëjë në zyrën komunale në Çabër, ndërsa ai i Zveçanit në kullën e Isë Boletinit në Boletin. E kryetari i Leposaviqit betimin do ta bëjë në një zyrë lokale në Bistricë.
Flamujt i kanë vendosur që moti.
Andaj në zyrën komunale që gjendet në Çabër të Zubin Potokut, kjo nuk do të jetë diçka e re siç ka ngjarë në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Për t’i bërë përgatitjet e fundit një ditë para betimit, te institucioni që pritet ta udhëheq për katër vitet e ardhshme ka ardhur edhe kryetari i sapozgjedhur i kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Madje për sigurinë këtu, po kujdesen disa zyrtarë policorë.
Jo fort i emocionuar për ceremoninë, thotë se ndjehet krenar e i lumtur që më në fund do të punohet për qytetarët, pa dallim.
Për anëtarët e kabinetit të tij thotë se do të jenë profesionistë, por nuk e përjashton mundësinë që të ketë edhe nga komuniteti serb.
Madje pret që gjatë mandatit t’i vë në funksion edhe zyrat e tjera që shërbejnë si institucione lokale, të cilat deri më tani kanë qenë të uzurpuara nga Beogradi.
Të enjten nga ora 10:00 pritet që të fillojë ceremonia e betimit të kryetarit të Zubin Potokut Izmir Zeqiri, e cila do të zhvillohet në fshatin Çabër, derisa në po të njëjtën kohë, do të betohet edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, në fshatin Boletin.
Ndërkohë, në orën 13:00, pritet të betohet kryetari i Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, në zyrën lokale në fshatin Bistricë. /Gazeta10