Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Tregu evropian i energjisë ka nevojë për reformë”

Gazeta10
29 August 2022 - 17:50

Ministrja belge e Energjisë, Tinne Van der Straeten, deklaroi se çmimet e gazit natyror duhet të kufizohen përkundër krizës energjetike që po përjetohet në Evropë dhe tha se “tregu evropian i energjisë është i pasuksesshëm dhe ka nevojë urgjente për reformë”.

Nga llogaria e saj në Twitter, Van der Straeten, bëri një postim lidhur me rritjen e shpejtë në çmimet e gazit natyror dhe energjisë elektrike në Evropë.

Ajo tha se vendet e Bashkimit Evropian (BE) duhet të zbresin “në burimin e problemit të energjisë” dhe theksoi se duhet të punohet për të ngrirë çmimet e gazit natyror.

“Nëse nuk bëjmë asgjë, 5-10 stinët e ardhshme të dimrit do të kalojnë në mënyrë të tmerrshme”, deklaroi Van der Straeten, duke tërhequr vëmendjen që ngrirja e çmimeve të gazit natyror mund të pakësojnë faturat elektrike të familjeve deri në 770 euro.

“Sot çmimi i prodhimit të energjisë elektrike, është shumë më i ulët se çmimi që shitet energjia elektrike dhe gazi natyror. Tashmë nuk ka mbetur ndonjë lidhje mes kostos së prodhimit dhe çmimit të shitjes. Është e nevojshme që të rishikohet sistemi i formimit të çmimit të energjisë elektrike në Evropë”, tha Van der Straeten.

Më tej Van der Straeten theksoi se “tregu evropian i energjisë është i pasuksesshëm dhe ka nevojë urgjente për reformë” dhe shtoi se nuk është e mundur që sistemi aktual të mbrohet.

Edhe pse energjia elektrike prodhohet tashmë me çmimin e vitit të kaluar, ajo po shitet me çmime rekord, deklaroi Van der Straeten, e cila vuri në dukje rëndësinë për të luftuar me fitimin ekstrem në këtë fushë.

Ministrja belge Van der Straeten tërhoqi vëmendjen që Belgjika këtë çështje e ka ndarë me Komisionin e BE-së dhe se menjëherë duhet të kalohet në veprim dhe të merret një vendim.

Van der Straeten shtoi se bordi këshillues ditën e mërkurë do të zhvillojë një takim për të diskutuar krizën e energjisë në Belgjikë.

Pritet që së shpejti ministrat e energjisë të vendeve anëtare të BE-së të zhvillojnë në takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar krizën e energjisë.

Disa vende të BE-së përfshirë edhe Belgjikën kanë kërkuar zbatimin e çmimit tavan në gazin natyror. Komisioni i BE-së po përpiqet të përcaktojë një qëndrim të përbashkët duke kryer bisedime me vendet anëtare për këtë çështje. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.